“Bumi turistik që po përjeton Shqipëria është produkt i një pune të vazhdueshme dhe jo e marketingut”,-tha kryeministri Edi Rama për emisionin “In Onda” për televizionin italian, La7 ai falenderoi të gjithë ata që kanë bërë të mundur këtë ndryshim të imazhit.
“Jemi përballur në shume vite me stigmën që e patëm në lëkurë. Ata që arritën të parët në Itali u cilësuan aliene, kemi vuajtur për shumë vite stigmën. Nuk na është dashur fare të bëjmë promocion, të paguajmë gazeta apo të bëjmë marketing pasi kjo erdhi në mënyrë të natyrshme. Madje mund të them që gazetat italiane e kanë ekzagjeruar pak pasi ne nuk mund të konkurrojmë Italinë në turizëm”.
Ai foli edhe për vizitën dhe pushimet e Melonit në Shqipëri, duke theksuar se marrëdhëniet me të nuk i ndikojnë aspak përkatësitë e ndryshme politike.
“Ajo që tërhoqi më shumë ishte forca e të kundërtave, unë shumë i gjatë, Meloni jo shumë e gjatë. Kjo çështja e të majtës dhe të djathtës është çështje kuptimi, por ne shohim përpara. Kur Meloni flet dhe merr qëndrime me ndërkombëtarët, ajo merr një peshë dhe bëhet më e madhe se unë. Unë nuk jam pjesë e të majtës tradicionale, përfaqësoj një të majtë të ndryshme. Atë të rrugës së tretë”.
