Policia e Tiranës ka arrestuar një 40-vjeçar, pas një kontrolli të ushtruar fillimisht në automjetin e tij, e më pas në banesë ku u gjetën drogë, armë zjarri dhe municione luftatrake. Gjatë operacionit, në bulevardin “Bajram Curri”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues G. H., në të cilin kanë gjetur dhe sekuestruar heroinë, 1 thikë dhe 1 palë dylbi.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e 40-vjeçarit të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 pushkë pneumatike, 1 armë zjarri pistoletë, 1 dorezë me mekanizëm si pistoletë për të realizuar qitje, 1 shënjestër optike, 1 thikë dhe municion luftarak.
Si rezultat u bë arrestimi i shtetasit G. H., 40 vjeç, banues në Tiranë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
