Kryeministri Edi Rama është shprehur se nuk është përgjegjës për veprimet që sipas tij janë individuale, të zyrtarëve të PS-së të përfshirë në korrupsion.
Komentet Rama i bëri gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS, kur tha se s’do ta përdorin kurrë flamurin e PS për të fshirë “bajgat” e korrupsionit të askujt.
Ai tha se ata që ai i ka besuar një post dhe që janë përfshirë në korrupsion, jo thjeshtë kanë tradhëtuar besimin e tij, por edhe flamurin shqiptar.
“Ata që ma vënë mikrofonin përpara dhe më pyesin për përgjegjësi individuale për bashkëpunëtorët e mi, nuk kanë faj. Ju dhe të gjithë socialistët që janë shumë pak që qarkullojnë atë fjalën e neveritshme, që Rama të lëshon dhe s’të mbron.
Unë kam një përgjegjësi të madhe morale dhe nuk është as të skuqem e të kërkoj ndjesë, apo të smbrapsem, sepse dikujt që i jam një detyrë, e mbështes pa kushte, atij i merr mendjen pushteti e paraja dhe tradhëton jo thjeshtë besimin tim e tuajin, por edhe vetë flamurin e të gjithë stërgjyshërve dhe bebeve të këtij vendi, bashkë me flamurin e gjithë socialistëve shqiptarë.
Pasi njëri e ka përdorur flamurin e PS-së si maskë për të vjedhur, ne të tjerët u dashka ta përdorim edhe si letër higjenike, për t’ja fshirë bajgat e korrupsionit me dorën e partisë. Përgjegjësia ime morale është të mos lë dy gurë bashkë, që drejtësia në Shqipëri të ketë fuqinë dhe pavarësinë që i duhet, për ta ndëshkuar çdo lloj këlyshi të atij soji të vjetër politik që e ka mbajtur nën kontroll drejtësinë për 100 vite me radhë”, u shpreh Rama.
