Presidenti i SHBA-së, Joe Biden udhëtoi drejt Hanoi në Vietnam për të firmosur një ujdi që do të afrojë ish-armiqtë e vjetër më shumë se kurrë më parë. Marrëveshja e quajtur si Partneritet gjithërfshirës strategjik, shënon një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe kulmon përpjekjet dy vjeçare të Uashingtonit për të fuqizuar lidhjet me Vietnamin, që shihet si kyç për t’iu kundërvënë ndikimit të Kinës në Azi.
Po ashtu Biden u kujdes të theksonte para gazetarëve në Hanoi se veprimet amerikane, nuk synonin frenimin apo izolimin e kinës, por ruajtjen e stabilitetit në përputhje me rregullat ndërkombëtare. “Unë nuk dua të frenoj apo izoloj kinën. Dua vetëm të sigurohem që të kemi një marrëdhënie të ndershme dhe të sinqertë”, u shpreh presidenti Biden.
Gjatë qëndrimit në Vietnam, Biden tha se kishte zhvilluar bisedimet e nivelit më të lartë me lidershipin kinez në disa muaj, teksa siguroi se lëkundjet ekonomike të Pekinit nuk do ta çojnë atë drejt pushtimit Tajvanit. Ai bëri të ditur se ishte takuar me kryeministrin kinez Li Qiang, në samitin vjetor të G20-tës në Nju Delhi, me të cilin siç tha kishin folur për stabilitetin dhe jo konfrontimin.