Poligoni i parë publik i testimit praktik për lejedrejtimi në Fushë-Prezë, Tiranë dhe Qendra e parë Edukative Digjitale e Simulimeve Virtuale për Lejedrejtimi, është drejt përfundimit. Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, thotë se objekti i ri brenda kësaj qendre do të kthehet në një hapësirë të teknologjisë, pikëtakimi për aktivitete edukative me moshat e reja si edhe stacion trajnimesh profesionale.
“Ky kompleks i ri, me një sipërfaqe rreth 6,000 m2 do të shërbejë edhe për programe edukative të sigurisë rrugore, orë këndi trafiku dhe aktivitete mësimore shtesë”, tha Rama.
Ky projekt është një tjetër vepër për standarde testimi transparente e në kushte sigurie manovrash, por edhe një qendër futuristike edukimi e formimi për kursantë e subjekte të interesuara për simulime reale dhe virtuale, ushtrime e prova të epokës digjitale.
Projekti parashikon e-Monitorim ajror, por edhe brenda në kabinë, live gjatë provimit, kompleks funksional ditën e natën, eficiencë energjetike e karikim mjetesh elektrike me energji diellore, parkime ndihmëse, sinjalistikë e mjete simulimi, instalime bashkëkohore dhe ambiente pritjeje.





