Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar në spital policin Alban Rashiti, i cili u plagos në orët e para të mëngjesit të së dielës gjatë një sulmi në veri të Kosovës. Kreu i qeverisë së Kosovës bëri me dije se nga ora 10:00, do të mblidhet Këshilli i Sigurisë, shkaku i zhvillimeve në veri ku edhe u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“Operacioni i heqjes së predhës nga kraharori i majtë i policit Alban Rashiti është kryer me sukses sot në mëngjes. Predha ishte e një granate dore që e hodhën kriminelët e orkestruar nga Serbia në drejtim të policisë së Kosovës gjatë sulmit të tyre terrorist afër urës në Banjskë të Zveçanit.
Gjatë vizitës në Klinikën Kirurgjike të QKUK-së takova edhe familjen e Albanit e cila erdhi nga Velekinca e Gjilanit. Polici i plagosur Alban Rashiti do të lirohet sot nga spitali. Tash në ora 10:00 kemi mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës”, u shpreh Kurti.
