Familja e një vajze britanike që humbi jetën në Shqipëri një vit më parë ka qindra pikëpyetje në lidhje me ngjarjen tragjike. Rebecca Gannon, 29 vjeçe, u mbyt në Sarandë gjatë një zhytjeje.
Rebecca donte të plotësonte 30 zhytje në 30-vjetorin e saj dhe për këtë kishte zgjedhur Qendrën Diving Spiranca në Sarandë. Zhytja në Shqipëri ishte e 29-ta dhe e fundit, por përfundoi me vdekjen e vajzës në një thellësi jo më shumë se 7 metra.
George Gannon, 61 vjeç, babai i saj, në një intervistë për Sky News, thotë se autoritetet në Shqipëri i fshehin diçka:
“Ne ishim ulur si familje duke parë funeralin e Mbretëreshës, kur na trokitën në derë dy policë dhe thanë: “duhet t’ju themi se vajza juaj vdiq në Shqipëri”. Nuk kam mundur të qaj akoma, nuk kam mundur as të mbaj zi”.
