Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se Serbia do të nisë hetimet për vrasjen e efektivit Afrim Bunjaku më 24 shtator 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit gjatë përplasjes me një grup të armatosur. Në një intervistë për Reuters, Vuçiç u shpreh se Serbia dënon vrasjen e efektivit të Policisë së Kosovës duke nënvizuar se shteti serb “do të nisë procedurat gjyqësore” dhe do të hetojë të dyshuarit.
Ndër të tjera, në intervistën për Reuters, president i Serbisë foli dhe për vrasjen e njërit nga pjesëtarët e grupit terrorist. Ai tha se Policia e Kosovës e ka qëlluar nga një distancë e afërt prej 1 metri me plumb në kokë pavarësisht se sipas Vuçiç ai ishte dorëzuar.
Këto akuza janë hedhur poshtë nga zëvendës komandanti rajonal për veriun e Kosovës, Veton Elshani, i cili është shprehur për Reuters se “Kjo është marrëzi, oficerët tanë nuk do ta bënin kurrë një gjë të tillë. Njërit prej të arrestuarve i dhamë ndihmën e parë në terren për t’i shpëtuar jetën pasi kishte pësuar lëndime.” Po ashtu, presidenti Vuçiç komentoi deklaratat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani e cila ka thënë se Serbia ishte përfituese e sulmit mbi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
“Pse kjo do të ishte e dobishme për Beogradin? Cila do të ishte ideja? Të shkatërrohet pozicioni ynë që kemi ndërtuar për një vit? Të shkatërrohet kjo brenda një dite? … Serbia nuk do luftë,” tha ai.
Gjithashtu, presidenti i Serbisë foli dhe për arsenalin masiv të armëve të gjetura nga kontrollet e Policisë në Kosovë në fshatin Banjskë pas sulmit, duke thënë se do të hetojë për origjinën e tyre.
Përsa i përket nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiç, i cili në një video të publikuar nga ministri i Brenshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla dukej që ishte pjesë dhe po udhëhiqte grupin e armatosur serb, Vuçiç tha se do të “thirret nga prokuroria”.
Sipas presidentit serb shkak i situatës në Kosovë e sidomos në veri të saj është kryeministri Albin Kurti sepse sipas tij po pengon Asociacion të Komunave Serbe.
“Shkaku i të gjitha problemeve në Kosovë është Albin Kurti. Është ai që i ka sjellë të gjitha këto”, tha ai.
“Ne duhet të jemi me njerëzit tanë, dhe të përpiqemi të ruajmë paqen. Zgjidhja është gjithmonë në dialog.”-shton ai për Reuters.
Më 24 shtator, policia e Kosovës u sulmua në Banjskë të Zveçanit, teksa po kryente një operacion për heqjen e një barrikade të vendosur në rrugë. Si pasojë e sulmit mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa policë të tjerë. Sulmuesit e dyshuar që sipas autoriteteve në Kosovë ishin rreth 30, u strehuan në manastirin e Banjskës dhe prej aty vazhduan përleshjet me Policinë.
Tre sulmues të dyshuar mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, ndërkaq katër persona janë arrestuar për këtë sulm, që Kosova e konsideron terrorist dhe për të e fajëson Serbinë. Beogradi ka mohuar se ka gisht në këtë ngjarje. Më 27 shtator në Serbi u shpall ditë zie për tre serbët e vrarë në Banjskë.