Afro një vit nga samiti i 6 dhjetorit në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka kujtuar se që prej 1 tetorit tashmë, çmimet e internetit ‘Roaming’ mes Evropës dhe Ballkanit Perëndimor janë uljur mesatarisht 99%. Kjo marrëveshje, e firomosur në samitin historik të 6 dhjetorit, është në fakt një risi dhe ndihmë për qytetarët.
“MIRËMËNGJES dhe me lajmin e mirë se prej 1 tetorit, çmimet e “Internetit Roaming” mes Europës dhe Ballkanit Perëndimor janë ulur mesatarisht deri 99%, të konkretizuar pas firmosjes së marrëveshjes në samitin historik të dhjetorit në Tiranë, ju uroj një ditë të mbarë”,-shkruan Rama.
Kujtojmë se vendimi për uljen e shpenzimeve ‘roaming’ u mor në dhjetor të vitit të kaluar, gjatë takimit të nivelit të lartë BE- Ballkani Perëndimor, në Tiranë, falë një marrëveshjeje të nënshkruar nga operatorët e telekomunikacionit të BE-së dhe vendeve të rajonit e cila parashikon shuarjen e plotë të tarifave roaming brenda vitit 2027.
Hapi i parë për zbutjen e tarifave roaming, u hodh nga vetë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat që prej 1 korrikut të vitit 2021, i hoqën totalisht ato, për qytetarët e tyre që udhëtonin në vendet e Rajonit.
