Në rast se një pasagjer në momentin që hipën në automjet nuk vendos rripin, atëherë drejtuesi i mjetit merr masë administrative. Por me sa duket ligji nuk zbatohet në mënyrë të njëjtë për të gjithë, pasi sikurse mund të shihni edhe nga kjo video, policia do të duhet që të ndalojë dhe të gjobisë shoferin e kreut demokrat Lulzim Basha. Ky i fundit në shkelje të plotë të Kodit Rrugor teksa udhëtonte drejt Farkës me shpejtësi, ka hequr rripin, ndonëse ishte në vend të parë.
Në këto foto dhe video të tirananews.al mund të shihni se si Lulzim Basha ka pasur fillimisht rripin e sigurisë, por e heq dhe më pas rehatohet për të filmuar me kamer militantët që e ndjekin me makinë.
Në Shqipëri ka çdo ditë mbi 50 aksidente automobilistike, ku më shumë se 10 prej tyre janë me persona të lënduar. Vetëm për vitin 2017 kanë gjetur vdekjen mbi 222 shtetas dhe 2389 janë plagosur, bilanc ky që fatkeqësisht i ngjan një vendi me konflikt ushtarak apo civil.
Pak kohë më parë, tirananews.al denoncoi edhe shkeljen e rregullave të sigurisë ku makina e tij udhëtonte në korsinë e gabuar.
Kodi Rrugor
NENI 170
Përdorimi i rripave të sigurimit dhe sistemeve të fiksimit
1. Drejtuesi i mjetit dhe pasagjerët që zënë vendet e përparme të mjeteve të kategorisë M1 sipas klasifikimit të nenit 47, pika 2, të prodhuara nga janari 1978, janë të detyruar të vendosin rripat e sigurisë në çdo lloj lëvizjeje me mjet. Ky detyrim qëndron edhe për pasagjerët që rrinë në vendet e pasme, për mjetet e prodhuara nga maji 1990.
2. Drejtuesi i mjetit është i detyruar të kontrollojë vazhdimisht funksionimin normal të rripave të sigurisë dhe, në rast mosfunksionimi siç duhet, t’i zëvendësojë ato me rripa të tjerë të homologuar për tipin e mjetit ku do të vendosen.
3. Përjashtohen nga detyrimi për vendosjen e rripave të sigurisë:
4. a) anëtarët e forcave të policisë gjatë përmbushjes së një shërbimi emergjence;
5. b) drejtuesit e mjetit dhe personeli i mjeteve zjarrfikëse dhe të shëndetësisë, në rastet e ndërhyrjeve emergjente;
6. c) drejtuesit e automjeteve të shërbimit të transportit taksi të njerëzve ose ato të shërbimit të qiradhënies me drejtues mjeti, gjatë shërbimit në qendrat e banuara;
7. d) njerëzit me shtatgjatësi më të vogël se 1.50 m dhe më të madhe se 1.90 m; ky kusht duhet të vërtetohet nga një dokument njohjeje;
8. e) njerëzit që, në bazë të certifikatave të lëshuara nga zyra shëndetësore lokale, rezultojnë të prekur nga sëmundje të veçanta, të cilat nuk lejojnë përdorimin e rripit të sigurimit;
9. f) gratë në gjendje shtatzanie, në bazë të certifikatës së lëshuar nga gjinekologu që i kuron dhe që vërteton krijimin e rreziqeve të veçantë nga përdorimi i rripit të sigurisë;
10. g) anëtarët e shërbimeve të rojës private që kryejnë shoqërime dhe që kanë dokumentacionin njohës sipas rregullave përkatëse. Në rastet e shkronjave “d”, “e”, “f” dhe “g” certifikatat ose vërtetimet e përcaktuara duhet t’u tregohen organeve të policisë me kërkesën e tyre, sipas nenit 12. Janë, gjithashtu, të përjashtuar nga detyrimi për përdorimin e rripave të sigurisë dhe sistemeve të tjera fiksuese drejtuesit dhe pasagjerët e mjeteve që nuk janë të pajisur, që nga prodhimi i tyre, me pjesët e veçanta mbërthyese.
11. Pasagjerët deri në moshën 12 vjeç mund të rrinë në vendet e përparme të mjeteve të kategorisë M1 dhe N1 të klasifikuar në nenin 47, pika 2, vetëm kur mbahen nga sisteme të përshtatshme fiksuese.
12. Pasagjerët deri në moshën 4 vjeç që rrinë në vendet e pasme të mjeteve të kategorisë M1, duhet të mbahen nëpërmjet sistemeve të posaçme të fiksimit. Në rast se në vendet e pasme rrinë më shumë se dy pasagjerë me moshë deri në 4 vjeç, vetëm ai me moshë më të vogël duhet të mbahet nëpërmjet sistemeve të posaçme të fiksimit, me kusht që të tjerët të jenë të shoqëruar të paktën nga një pasagjer me moshë jo më të vogël se 18 vjeç.
13. Norma e pikës 5 nuk zbatohet për pasagjerët deri në moshën 4 vjeç që udhëtojnë me autovetura të shërbimit publik taksi për transport njerëzish ose të shërbimit me qiradhënie me drejtues mjeti gjatë shërbimit, kur qarkullojnë në qendrat e banuara a në itinerare nga ose për në stacionin e trenit, porte dhe aeroporte, me kusht që të jenë të shoqëruar të paktën nga një pasagjer me moshë jo më të vogël se 18 vjeç.
14. Sistemet e fiksimit për pasagjerët duhet të përputhen me një tip të homologuar, sipas normativave të përcaktuara nga Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse.
15. Cilido që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit të parashikuara për pasagjerët deri në 12 vjeç, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë. Kur shkelja i takon një fëmije në moshë jo madhore, përgjegjësia bie mbi drejtuesin e mjetit ose, kur ndodhet në momentin e kryerjes së shkeljes, mbi atë që është ngarkuar me mbikëqyrjen e kësaj fëmije.
16. Cilido që, ndonëse e përdor rripin e sigurisë, ndryshon a pengon funksionimin normal të tij, ose e zëvendëson me një tip të pahomologuar për mjetin ku është vendosur, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë.
17. Cilido që importon ose prodhon për tregti në territorin kombëtar ose tregton rripa sigurimi apo sisteme fiksimi të tipave të pahomologuar, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë. Gjithashtu, kur rripat dhe sistemet e fiksimit nuk janë vendosur ende në mjete, janë subjekt konfiksimi. /tirananews.al


