Një ditë më parë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi akuzoi Bashën se përmes kunatit të tij ishte bërë pronar i dy kateve të ‘Lion Residence’, një nga kullat me të reja në Tiranë.
Dokumentet e mëposhtme, të lëshuara nga Qendra Kombëtare e Biznesit, vetë Erion Isufi disponon zyrë në katin e parë të ‘Lion Residence’. Gjithashtu, Isufi, në të dyja katet e blera ka zyra për pesë kompanitë, si: Landmark Communications, Landmark Premium Print, Moveo Albania Technology dhe Landmark Technologies, si dhe për dy mediat, Revista ‘Story’ dhe ‘Elegance’.





Sipas Gazmend Bardhit, Basha ka përfituar pronat tek kjo kullë, vetëm një muaj pas humbjes së zgjedhjeve në prill të 2021-shit, pavarësisht se blerja është bërë në emër të familjarëve të tij.
“Të jem i sinqertë u emocionova shumë, nga aleanca e kullave, parafolësi është i vetmi që ka marrë dy kate në një kullë në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës dhe kur vjen këtu për aleanca kullash numëro katet e kullave të tuaja në kullën më të shtrenjtë të Tiranës tënden dhe familjarëve të tu”, tha Bardhi. Nuk vonoi dhe reagimi i Bashës. ““Është një shpifje e pastër e shkollës berishiste, vjen nga një njeri që dje sulmonte babin e zenit dhe sot është bërë avokati i babait të zenit dhe aleancës së kullave. Familjarët e mi çdo transaksion e kanë transparent ndryshe nga aleanca e kullave dhe avokati tyre i ri Gaz Bardhi”.
Herë në një apartament e herë në një vilë, denoncimet publike e kanë atashuar Bashën me pronat e familjarit të tij, kunatit Erion Isufi nuk kanë rreshtur.

Në këtë pallat ai zotëron katin e 12 dhe të 13. Në ikje e sipër, ish-kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha do t’i jepte vetes një leje për ndërtimin e një kati shtesë në pallatin 12 katësh ekzistues, në të cilin ai jeton prej disa vitesh në rrugën “Dervish Hima” në kryeqytet, në zonën e njohur si kullat e stadiumit “Qemal Stafa”. Leja daton në vitin 2014, ndërsa firma e përzgjedhur për ndërtimin e këtij objekti siç shihet dhe në faksimile është “Archimed International sh.p.k”.
Vila në periferi të Tiranës
Në vitin 2019, Basha u zhvendos në kompleksin e vilave “Long Hill”, në periferi të Tiranës, duke u larguar nga apartamenti i tij në katin e 12-të, pranë kullave tek stadiumi “Arena Kombëtare”.
Me daljen e këtij lajmi, vetë Basha, përmes një njoftimi nga Partia Demokratike, sqaronte se banesa e tij po i nënshtrohej punimeve të domosdoshme, duke qenë se kishte pësuar dëme nga tërmeti.
“Për këtë arsye zoti Basha dhe familja e tij janë zhvendosur përkohesisht në një banese me qira, që nuk ka asnjë lidhje me fotot e rreme të shpërndara nga disa portale te kontrolluara nga qeveria. Banesa me qira e familjes se zotit Basha jo vetem nuk ka pishine, por është më e vogël sesa banesa e tij në rindërtim,”- njoftonte PD-ja në atë kohë.
Vilat në “Long Hill” janë ndërtuar nga biznesmeni Agron Papuli, i cili akuzohej vazhdimisht nga Basha si një oligark i qeverisë dhe me lidhje të ngushta me Partinë Socialiste.
Akuzat për vilën tjetër në Farkë
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj deklaroi gjithashtu se Basha, përmes kunatit të tij, Erion Isufi, ka aplikuar në bashki për të marrë leje për të ndërtuar vilë tjetër.


