Ministria e Brendshme i ka dërguar Komisionit të Shëndetësisë një kërkesë që azoti të shpallet lëndë psikotrope.
Në shkresën që mban firmën e ministrit Taulant Balla, shkruhet se nga operacionet e fundit policore është vënë re shqetësimi për përdorimin nga të rinjtë të lëndëve në formë gazi të llojit N2O, azot dhe dyoksid karboni
Sipas ekspertëve të mjekësisë, thuhet më tej, këto lëndë sjellin probleme shëndetësore. Duke qenë se këto lëndë nuk klasifikohen aktualisht si lëndë narkotike apo psikotrope lind nevoja për përfshirjen e tyre në listën që i bashkangjitet ligjit “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, i ndryshuar.
Alarmi për këtë veprimtari të rrezikshme mes të rinjve u ngrit pak javë më parë nga Top Channel, kur mjeku Adrian Fandi tregoi se kjo lëndë përmban dy kimikate në formë gazi që japin probleme mendore dhe neurologjike.
Disa të rinj kanë shfaqur probleme shëndetësore pas konsumimit të azotit nëpërmjet tullumbaceve apo bombolave me zot, që madje reklamohen në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok.
