Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule ishte i pranishëm në seancën që u zhvillua në Gjykatën e Shkallës së Parë në Durrës për Fredi Belerin. Gjykata shpalli mos-kompetencën për këtë çështje dhe ia kaloi Gjykatës së Lartë në Tiranë. Dule tha se gjitha kjo është një proces politik dhe se nuk asnjë ligj që mund ta pengojë Belerin të betohet. Sipas tij Beleri është një i burgosur politik i Ramës për interesat e tij okulte që lidhen me pronat në Himarë.
”Topi hidhet në shkallët e stadiumit, në vend që loja të luhet me norma juridike me norma dhe me rregulla. Kompetenca e mos-kompetencës. Ishte i zgjedhur nga komuniteti i Himarës për të qenë kreu i bashkisë së tyre. Me çfarë ligji pengohet që të shoqërohet minimalisht për të marrë detyrën duke u nisur nga kryerja e betimit.
Nuk ka asnjë ligj që e mban larg betimit dhe marrjes së detyrës përveç arbitraritetit. Është një çështje kryekëput politike. Zoti Beleri vazhdon të mbetet një i burgosur politik personalisht i zotit Rama në shërbim të interesave të tij okulte në bashkinë e Himarës që lidhen me pronën, me respektimin e identitetit dhe me shumë elemente të tjera që nuk ka vullnet politik për t’u përmbajtur”,-tha Dule.
