Grupi militant i Hamasit, akuzoi menjëherë Izraelin se kishte goditur me raketë spitalin Al-Ahli duke shkaktuar mes 200 deri 500 viktima. Tel Avivi mohon përgjegjësinë dhe pretendon se shpërthimi u shkaktua gabimisht, nga raketa të lëshuara nga grupi palestinez, Xhihadi Islamik.
“Mund të konfirmoj se të dhëna e sistemeve operacionale të forcave tona të mbrojtjes, sugjerojnë se një breshëri raketash u lëshua nga terroristët në Gaza, duke kaluar në afërsi të spitalit Al-Ahli në momentin që ai u godit. Burime të inteligjencës tregojnë se Xhihadi Islamik është përgjegjës”, u shpreh zëdhënësi i ushtrisë Daniel Hagari.
Sulmi në spital ka nxitur reagimin e ashpër të botës arabe duke çuar në anulimin e një takimi mes presidentit amerikan Joe Biden që qëndron sot në Izrael, mbretit Abdullah të Jordanisë, liderit egjiptian Abdul Fattah al-Sisi dhe presidentit palestinez Mahmud Abas.
Më herët, një raketë goditi edhe një shkollë ku po strehoheshin rreth 4 mijë persona në Rripin e Gazës, me pasojë vdekjen e disa civilëve.
