Pak banorë ka sot fshati Bakshi në Komunën e Obiliqit, në Kosovë. 60 prej tyre kanë udhëtuar prej andej drejt qytetit të Burrelit, ashtu si 20 vjet më parë kur u përzunë nga shteti kriminal i Serbisë. Fëmijët e asaj kohe ishin rritur, të rinjtë ishin burrëruar dhe burrat “udhëtonin” drejt moshës së tretë.
“16 nga banorët e fshatit tonë, që erdhën me 2 maj 1999 në qytetin e Burrelit nuk jetojnë më. Mosha nga njëra anë dhe vuajtjet për shkak të humbjes së njerëzve të afërm nga ana tjetër bënë që ato të mos jenë mes nesh në këtë udhëtim të veçantë”, thotë njëri nga vizitorët e Burrelit.
Autobusi fillimisht i drejtohet Komsisë, aty ku afro 2000 kosovarë u sistemuan nga autoritetet e kohës. Në magazinat e ish rezervave të shtetit vëllezërit jetonin, flinin, ushqeheshin, kuvendonin, qanin e qeshnin. Kuptohet, në kushte mjaft të vështira. Mysafirët e largët nuk lejohen nga rojat e objekteve të hyjnë në mjediset e brendshme, pasi tashmë në mjediset e tyre janë magazinuar mallrat e ndryshëm, të sekuestruar në qytete të tjera të vendit. Pasi pozojnë dhe kujtojnë eksodin e paparë, ata mbërrijnë në qendër të qytetit, për të frekuantuar xhaminë e Burrelit. Pas faljes autoritetet e xhamisë organizojnë një ceremoni interesante.

Disa nga besimtarët kosovarë e kishin frekuentuar xhaminë 20 vjet më parë dhe ky rikthim ishte emocional. Imami Vladimir Haxhija dhe myftiu Valdrin Mera falenderuan miqtë nga Kosova dhe për nder të tyre shtruan një koktejl. Në këtë ceremoni mbresëlënëse nuk munguan kujtimet, përshëndetjet dhe fjalimet. Mes duatrokitijeve të të pranishme imami i xhamisë së fshatit Bakshi, Bashkim Mehani i dorëzoi myftiut të Matit, Valdrin Mera, një dekoratë falenderimi për gjithë matjanët që mbështetën vëllezërit kosovarë gjatë eksodit masiv të vitit 1999. Imami Vladimir Haxhija dhe nënprefekti i Matit Hasan Pasha pasi sollën kujtime të atij viti të mbrapshtë falenderuan kosovarët që u rikthyen në qytetin e Burrelit pas dy dekadash.

Imami Bashkim Mehani tha se ndjente emocione të vecanta teksa u përcillte banorëve të Burrelit falenderimet më të mira për bujarinë, mikpritjen, qetësinë dhe dashurinë e treguar për banorët e fshatit Bakshi. “I gjithë fshati përjetoi kataurën e regjimit shovinist serb. Kur banorët e fshatit tim u pyetën në Kukës se ku dëshironin të sistemoheshin, ata njëzëri thanë: “Në qytetin e Burrelit duam të shkojmë”. Me siguri e zgjodhën këtë qytet për të qenë sa më afër vendit të tyre, pra dëshironin të ktheheshin sa më shpejt në vendlindje pas lufte. Mirënjohje pa fund për cdo banorë të Burrelit që u kujdes për vëllezërit kosovarë”, nënvizoi Mehani gjatë ceremonisë së organizuar në xhami.

Mysafiri i veçantë, Baca Esat
Mes banorëve të Bakshit ishte për vizitë edhe Esat Curri. Të gjithë në Mat e njohin me emrin Baca. Me plisin mbi krye lëviz si një djalë i ri në rrugët dhe lulishten e Burrelit. Ai është matjanizuar. Ka plot miq në qytetin e Burrelit. Një pjesë e familjes së tij u sistemua në konviktin e shkollës së mesme në 1999. Tre djemtë ishin organizuar në radhët e UCK-së. Vetëm pak ditë pasi u strehuan në konvikt vjen lajmi i hidhur në Burrel se dy djemtë e tij, Ferid dhe Petrit Curri ishin vrarë në luftë. Drejtuesit e pushtetit lokal dhe banorët e qytetit organizuan në oborrin e konviktit një ceremoni mortore.

