Këtë të hënë, në orën 13:30 do të zhvillohet në Gjykatën e Posaçme seanca për verifikimin e masave të sigurisë ndaj Jamarbër Malltezit dhe biznesmenit Fatmir Bektashi, sa i takon akuzave për privatizimin e ish-klubit “Partizani”.
Deri më tani nuk ka mbërritur në dyert e gjykatës shkresa e oficerëve të policisë gjyqësore që Sali Berisha ka marrë dijeni për vendimin e gjykatës. Pavarësisht se ish-kryeministri Sali Berisha i mohoi akuzat në konferencën e jashtëzakonshme të së shtunës, ai është shprehur i gatshëm të përballet me drejtësinë. Berisha ka theksuar se duke qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për marrjen e një vendimi të tillë, sipas ligjit, fillimisht duhej një procedurë parlamentare.
Hetimet për dosjen kanë nisur prej 3 vitesh, ku SPAK ka siguruar prova shkresore të shkëmbyera mes institucioneve. Dhëndri i ish-kryeministrit Jamarbër Malltezi u arrestua të Shtunën në aeroportin e Rinasit. Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë” lidhur me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
