Është ndërprerë seanca në GJKKO për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Seanca gjyqësore do të rifillojë në 18:00. Vendimi u mor pasi mbrojtja kërkoi kohë për t’u njohur me aktet.
Ish-kryeministri refuzoi kërkesën e GJKKO-së për t’u paraqitur në Gjykatë për t’u marrë në pyetje në lidhje me hetimet për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
“Gjykata e Posaçme e Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ne daten 24.10.2023, dite e Marte, ora 14:00, ka caktuar seancen gjyqesore te marrjes ne pyetje te personit nen hetim Sali Berisha, bazuar nenit 248 pika 1 te K.Pr.Penale”, njoftoi Gjykata.
Por Sali Berisha s’ka pranuar të shkojë për të dëshmuar në lidhje me privatizimin e ish kompleksit Partizani, për të cilin është arrestuar dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Në ambientet e gjykatës është paraqitur avokati i Berishës, Genc Gjokutaj rreth orës 13:55, orar kur ishte parashikuar edhe nisja e seancës ndaj ish-kryeministrit, ndaj të cilit është vendosur masa “detyrim paraqitje”, si edhe iu është bllokuar pasaporta.
