Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka folur në Këshillin e Sigurimit, ku u zhvillua një debat i nivelit të lartë për situatën në Lindje e Mesme.
Gjatë zhvillimit të seancës plenare në Këshillimin e Sigurimit, ishte i pranishëm dhe Sekretari Amerikan i Shteti si edhe ministrat e Jashtëm të Izraelit dhe Palestinës.
Gjatë fjalës së tij ministri u shpreh se, “Shqipëria mbështet Izraelin në të drejtën e tij legjitime për vetëmbrojtje. Ne besojmë se ekziston një mënyrë për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e Izraelit.
“Duhet marrë çdo masë paraprake për të mos dëmtuar civilët. Hamasi priste që bota të kthehej kundër Izraelit, ne nuk duhet të mashtrohemi”, u shpreh Hasani.
Ndër të tjera Hasani u shpreh se, “Shqipëria dënon çdo legjitimim apo glorifikim të sulmeve terroriste. Qëllimi i Hamasit nuk është të mbrojë palestinezët, veprimet e tyre nuk i përfaqësojnë ata. Palestinezët duhet të jenë të parët që kundërshtojnë aktet e tmerrit. Hamasi po ua mohon atyre të tashmen, po u vjedh të ardhmen. Ne jemi të shqetësuar nga një rritje e frikshme e ndjenjave antisemite”.
Nuk duhet të qëndrojmë indiferentë, shtoi ministri, përballë thirrjeve që vijnë nga narrativa naziste. Duhet të reagojmë kundër të gjithë atyre që ndezin flakët e përçarjes dhe diskriminimit.
“Situata humanitare në Gaza është dramatike. Dënojmë sulmin në spitalin Al-Ahli dhe bëjmë thirrje për hetim të plotë për përgjegjësisë. Mirëpresim marrëveshjet për kalimin e autokolonave humanitare në Gaza. Nevojat janë shumë herë më të larta, por përpjekjet duhet të vazhdojnë. Ndihma humanitare për civilët duhet të vazhdojë pa pengesa”nënvizoi më tej shefi i diplomacisë.
Gjatë fjalës së tij, Hasani nënvizoi se, “mirëpresim lirimin e pengjeve nëpërmjet asistencës. Të shmanget përhapja e konfliktit që do të tensiononte të gjithë Lindjen e Mesme. Dënojmë sulmet e Hezbollahut mbi Izraelin, bëjmë thirrje që të përmbahen nga veprimet e paprovokuara. Retorika provokuese nuk ndihmon, të përcjellim mesazhe kujdesi dhe përgjegjësie. Izraeli ka nevojë për siguri dhe meriton siguri”
Ndër të tjera Hasani tha se, “Palestinezët kanë nevojë dhe e meritojnë shtetin e tyre. Çështja e Palestinës nuk duhet të vazhdojë të mbetet një punë e papërfunduar. Shqipëria rithekson mbështetjen e saj për të dyja kombet, për të dyja shtetet. Shqipëria mbështet projekt-rezolutën e SHBA-ve, që trajton të gjitha çështjet përkatëse”.