Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi u ka dërguar një mesazh deputetëve të Rithemelimit, mbështetësve te tij dhe aleatëve për shkuar në seancën plenare në Kuvend, ndonëse 23 prej tyre janë përjashtuar pas kaosit që kanë krijuar herët e fundit.
“Nesër e hënë, ora 17:00, është planifikuar seanca e radhës plenare. Pavarësisht vendimit të përjashtimit arbitrar, i cili parashikon përjashtimin tonë për 11 ditë, ne duhet të jemi të gjithë në seancë. Për këtë qëllim, mblidhemi të gjithë bashkë në orën 16:30 për të shkuar në grup në seancë. Ndërkohë, mbledhja e radhës e grupit do të zhvillohet si zakonisht, të martën, datë 31 Tetor, ora 13:00. Ju përshëndes!”, shkruhet në mesazhin e Bardhit drejtuar deputetëve të Rithemelimit.
Në seancën e mëparshme 23 deputetë të opozitës, me në krye Sali Berishën dhe Gazmend Bardhin, u përjashtuan për 10 ditë nga seancat plenare. Ata penguan zhvillimin normal të seancës plenare duke mos lejuar socialistët të çelnin punimet me argumentin se sjellja e mazhorancës ndaj opozitës është në shkelje të të drejtave të saj kushtetuese.
