Ministri i Brendshëm, Taulant Balla në eventin e zhvilluar këtë mëngjes me temë ”Siguri-Vlerësim-Mbështetje”, ndër të tjera tha se buxheti 2024 do të mundësojë mundësinë që të bëhet një rritje e konsiderueshme e pagave në Policinë e Shtetit.
”Buxheti 2024 do të na japë mundësinë të bëjmë një rritje të konsiderueshme të pagave në Policinë e Shtetit dhe gjatë vitit tjetër t’i japim një zgjidhje përfundimtare pagesës së munguar të ushqimit për çdo punonjës policie”,- tha Balla.
Për më tepër, ministri Balla u shpreh se deri në fund të vitit pritet që shqipëria të regjistrojë shifrën prej 10 mln turistësh. Ai tha se Shqipërisë i është pastruar një herë e mirë imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare.
”Lajmi më i bukur i këtij viti nuk është vetëm shifra 10 milionë (që presim të mbyllim deri më 31 Dhjetor), por certifikimi ndërkombëtar i Shqipërisë sonë si një destinacion europian me bukuri natyrore, mikpritje të pakonkurueshme dhe siguri mbresëlënëse. Sot mund ta themi me kokën lart dhe me krenari se Shqipërisë i është pastruar një herë e mirë imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare. Siguria e turistëve në këtë sezon turistik historik, ishte një test i rëndësishëm pasi çertifikoi vendin tonë si një destinacion të sigurtë turistik”,-tha Balla.
