Juristi Kreshnik Spahiu tregoi në një intervistë për “Now me Erla Mëhillin” se kultet fetare janë përfshirë në një mish mash të degradimit dhe aferave korruptive.
Sipas tij diçka e tillë kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por madje dhe në Vatikan, Angli, Gjermani e Austri.
Spahiu tregon gjithashtu se ka raste se drejtues të komuniteteve fetare kanë rënë pre e atentateve dhe janë vrarë për shkak të motiveve të pronësisë dhe përfitimit.
“Në Shqipëri pas shtetit, pronari i parë privat janë komunitetet fetare, i pari vjen komuniteti mysliman, pastaj vijnë komunitetet e tjera, përfshirë dhe komunitetin katolik, përfshirë dhe gjithë këto kultet e tjera. Tani, pronat e komuniteteve fetare mbrohen dhe garantohen njësoj si e drejta private e pronës. Komunitetet fetare mund t’i tjetërsojnë ato, pra nuk ka asnjë ndalesë për t’i dhënë me qira, për t’i shitur apo t’i tjetërsuar. Deri më sot nuk janë kthyer të gjitha pronat e komuniteteve fetare. Ato ende vuajnë nëpër gjykata procesin e kthimit apo kompesimit ashtu siç ka probleme të legalizimit,” – u shpreh Spahiu.