“Muzg në kopshtin e qershive” çeli sezonin e ri në Teatrin Kombëtar…
Bazuar në veprat e shkrimtarit rus Anton Chekhov dhe dramaturgut amerikan Lillian Hellman, regjisorja Driada Dervishi ngjit në skenë një vepër aktuale, që gati gati duket si kronikë e zhvillimeve të ditës…
“Gjërat që ne po përjetojmë sot këtu, një pjesë e madhe i madhe i kanë përjetuar apo i përjetojnë akoma. Por, njerëzit, do i kthehen gjenezës… lidhjes me tokën”, tha Adem Karaga, aktor.
Një projekt për ndërtimin e një resorti në një kopsht me qershi përplas anëtarët e një familjeje, që janë produkt i një incesti. Intriga njëra pas tjetrës që rihapin konflikte të vjetra…
Ndërsa të rriturit ndajnë tokën dhe llogarisin fitimet, vajza e shtëpisë është e para që pyet çfarë do të mbetet pasi të priten të gjitha pemët.
“Nuk është vetëm roli i nënës kundrejt vajzës, por është e gjithë çfarë ndodh në familje, të gjitha dramat sociale që ndodhin sot. Të gjitha problemet, fëmija i shtëpisë, që e luaj unë, i përjeton shumë”, u shpreh Alesia Xhemalaj, aktore.
“Në këtë gjendje jemi sepse familja është shpërbërë. Këta janë njerëz që nuk kanë skrupuj, edhe fëmijën e mësojnë gangster dhe hajdut. Kjo shfaqje ka mesazhe shumë të forta dhe është ajo që teatri duhet të bëjë, është një pasqyrë që ne i vëmë publikut, që shoqëria të kuptojë veten dhe për përjetojë katarsis”, deklaroi Neritan Liçaj, aktor.
Një histori për ndryshimin, kujtesën, humbjen dhe fillimet e reja… me mesazhe të forta që cekin jetën sociale dhe politike të shoqërisë…
“Kujtimet nuk janë për shitje” na tregon se në këtë tranzicion që po kalon shoqëria jone, ne duhet të shkojmë duke mbartur ato kujtimet e vegjëlisë. Mund të ketë zhvillim, por duke ruajtur atë që me shekuj na erdhi deri më sot”, tha Laert Vasili, aktor.
Për “Muzg në kopshtin e qershive” janë shitur të gjitha biletat për muajin shtator, ndërkohë që do të vijojë për publikun edhe përgjatë tetorit.
