Ndodh që edhe pronarët e restoranteve, qofshin këto dhe në vendet më të njohura turistike t’u hipin nervat keqas.
Kështu ka ndodhur me dy turistë në Bad Schallerbach të Austrisë, një zonë turistike mjaft e frekuentuar për shëtitjet e bukura, paqen dhe qetesinë.
Dy turistët shkuan për të ngrënë darkën, por dolën me plagë prej andej. Ata ishin ankuar se u kishin mbërritur pjatat e gabuara të porosisë. Pronari 56-vjeçar i restorantit në përgjigje të ankesës së tyre u hodhi ushqimin në fytyrë.
“Nuk më ka ndodhur kurrë më parë”, shkruan një prej klientëve teksa bën rivlerësimin në faqen e restorantit duke shtuar se pronari ishte i dehur.
Kur klienti i tha se do të lajmëronte policinë, pronari i restorantit i kishte vënë duart në fyt. Të dëmtuarit dolën në rrugë, duke detyruar dhe një familje prej katër antëarësh të braktiste restorantin.
Sipas raportit të policisë, pronari i restorantit sulmoi dy anëtarë të grupit, duke e lënë njërin prej tyre me 43 plagë. Madje raporti thotë se ai vijoi të ishte abuziv dhe kur mbërriti policia.
Mediat austriake thonë se vendi ku ndodhi kjo histori është një restorant i mirë me ushqime tradicionale dhe mjaft popullor për alpinistët, çiklistët dhe adhuruesit e udhëtimeve.