Në një kohë që çështja ”Gërdeci” vijon në Gjykatën e Posaçme, është Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut që ka dalë me vendim për padinë e familjarëve. Teksa kjo çështje ndodhet në Gjykatën e Posaçme me kërkesë të SPAK, Strasburgu thotë se ndër vite ka pasur shkelje.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut detyron shtetin që t’i paguajë Zamira e Feruzan Durdajt 12 mijë europër masakrën e Gërdecit, ku Zamira Durda humbi djalin e mitur. Në vendim thuhet se shteti duhet të dëmshpërblejë kërkuesit brenda tre muajve nga data në të cilën vendimi merr formë të prerë.
“Shteti i paditur duhet t’u paguajë kërkuesve, brenda tre muajve nga data në të cilën vendimi merr formë të prerë në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës, shumat e mëposhtme: bashkërisht Zamira Durdajt dhe Feruzan Durdajt, 12 000 euro (dymbëdhjetë mijë euro), plus çdo taksë që mund të paguhet për dëmin jopasuror; aplikantëve të mbetur, 10,000 (dhjetë mijë euro) secili, plus çdo taksë që mund të paguhet për dëmin jopasuror; bashkërisht për të gjithë aplikantët, 8,000 (tetë mijë euro) euro, plus çdo taksë që mund t’u ngarkohet atyre, në lidhje me kostot dhe shpenzimet; që nga skadimi i tre muajve të sipërpërmendur deri në shlyerje, do të paguhet interes i thjeshtë për shumat e mësipërme me një normë të barabartë me normën marxhinale të huadhënies të Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së mospagimit plus tre pikë përqindjeje”, thuhet në vendim.
Hetimi për ish-ministrin Fatmir Mediu është zvarritur. Ky vendim i Strasburgut pritet të bëhet pjesë e procesit në GJKKO. Çështja ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu është rihapur pasi Zamira Durdaj, e cila humbi të birin në ngjarjen e Gërdecit, e kallëzoi atë në SPAK.
Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku Shqipëria u trondit nga shpërthimi i një depoje të armëve ushtarake në Gërdec, në afërsi të Tiranës ku mbetën të vdekur 26 persona.
