Pasditen e 4 nëntorit në një punishte zdruktharie në zonën Cueno të Italisë, shqiptari 34 vjeçar Klaudio Myrtaj u gjet i vrarë me plumb në kokë. Motra e tij, Desara Myrtaj thotë se është e shokuar dhe se nuk e kuptonte sesi kishte ndodhur ngjarja pasi ai nuk kishte folur kurrë për asnjë konflikt apo gjë të çuditshme.
“Jam e shokuar, nuk e kuptoj. Klaudio ka qenë gjithmonë vëllai më i mirë në botë, gjithmonë pranë meje. Një djalë i artë, ai ndoqi universitetin dhe një master në marrëdhëniet me publikun. Ai punonte në një call center në Tiranë, por gjashtë vite më parë babai ynë ndërroi jetë, kështu që u kthye në Vlorë për të qenë pranë nënës së tij. Por na duheshin para. Ai ra në kontakt me kushërinjtë e tij në Caraglio, me të cilët jemi shumë të afërt.
Fillimisht shkoi në Spanjë për pushime, më pas iu bashkua atyre në Itali. E prisnim për natën e ndërrimit të viteve. Më thirrën kushërinjtë e mi. Unë vërtet nuk di çfarë të them. Flisnim çdo ditë me Klaudion, ai nuk tha kurrë ndonjë gjë të çuditshme, madje as kushërinjve të tij. Ai ishte njeriu më i sjellshëm dhe më korrekt në botë, ai nuk mund të lëndonte askënd”, tha 29 vjeçarja.
Për ngjarjen nuk ka të arrestuar, ndërsa sipas mediave italiane vrasja ka qenë e planifikuar pasi ndaj shqiptarit është qëlluar me silenciator në punishten ku punonte.
