Braktisja e foshnjave nga nënat është një fenomen shqetësues që ndodh edhe në Shqipëri. Ka pasur disa raste të braktisjes së foshnjave të porsalindura në Shqipëri gjatë viteve. Në disa prej këtyre rasteve, fëmijët janë gjetur të braktisur në rrugë, spitale, objekte publike apo në vende të tjera.
Nuk kanë munguar edhe rastet brutale të braktisjes së foshnjave, duke u hedhur nga nënat në kazanët e mbeturinave apo mbytur në ujërat e lumenjve. Braktisja e foshnjave është një shkelje e të drejtave të fëmijëve dhe është e rëndësishme që autoritetet të ndërmarrin masa për të parandaluar këtë fenomen dhe për të ndihmuar nënat që ndodhen në situata të vështira.
Në mungesë të statistikave sesa i përhapur është ky fenomen në vendin tonë, i referohemi rasteve të raportuara ku rezulton se vetëm këtë vit janë dokumentuar katër raste të braktisjes së foshnjave por nuk përjashtohet mundësia që mund të ketë dhe raste të tjera të pa raportuara. Në të gjitha rastet e raportuara arsyet përgjithësisht ka qenë pamundësia për tu kujdesur për fëmijën.
Në raportin më të fundit të Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve (CRCA/ECPAT Albania), thuhet se aktualisht në Shqipëri janë rreth 250 fëmijë që ndodhen në qendra rezidenciale publike, nga 0 deri në 18 vjeç, ndërsa 400 fëmijë të tjerë janë të vendosur në qendra rezidenciale private, kryesisht të drejtuara nga OJF.
Një analizë e të dhënave për numrin e fëmijëve të vendosur në institucione si dhe dinamikën e hyrjes dhe daljes nga këto institucione, tregon se afërsisht 70% e fëmijëve vijnë nga familje të varfra apo familje me probleme sociale, 25% e tyre janë të braktisur që nga lindja dhe 5% e tyre janë akomoduar në institucione për arsye të tjera, duke përfshirë riatdhesimin e fëmijëve të trafikuar dhe të fëmijëve punëtorë.
