Përmirësimi i infrastrukturës së Ujitje-Kullimit po vijon me prioritet në gjithë vendin. Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë të hënë pamje nga puna që po kryhet për pastrimin e përroit Hekal-Mollaj në Mallakastër, i cili shërben për kullimin e fushës Hekal- Mollaj- Rromës.
Në fushën e fshatrave Hekal, Mollaj dhe Rromës bllokimi i kanaleve kulluese si pasojë e mospastrimit ishin kthyer në problem për fermerët. Prej vitesh investimet në tokat bujqësore mungonin, ndërsa reshjet e dendura të shiut krijonin edhe përmbytje si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Vjosë.
Tashmë ndërhyrjet e fundit do të sjellin edhe largimin e ujit të shiut nga tokat bujqësore dhe si pasojë do të reduktojnë përmbytjet dhe minimizojnë dëmet që vijnë si pasojë e kushteve atmosferike. Ndërhyrjet në kanalet kulluese e vaditëse si dhe te kolektorët kryesorë po bëhet në gjithë vendin, veçanërisht në zonat me potencial të lartë bujqësor, siç janë Lushnja e Fieri.
Investimet në këtë sektor sigurojnë që fermerët të kenë ujitjen e domosdoshme të prodhimeve të tyre gjatë sezonit veror, por edhe të mos kenë më probleme përmbytjesh të tokave bujqësore prej reshjeve që bien në stinën e dimrit.
