Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e ka përmendur të premten rëndësinë e dialogut direkt me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, duke marrë parasysh qëndrimet e tyre të ndryshme në konfliktin në Lindje të Mesme.
“Zoti president, nuk është sekret se ne kemi qëndrime shumë të ndryshme për konfliktin”, ka thënë Scholz në konferencë për media, para darkës me Erdoganin.
“Kjo është pikërisht pse bisedimet tona janë aq të rëndësishme, sidomos në kohë të vështira kemi nevojë për dialog dhe njëri-tjetrin’.
Erdogan e quan Hamasin – organizatën palestineze të shpallur terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – si “organizatë çlirimtare”, dhe e akuzon Izraelin për “gjenocid” në Rripin e Gazës, si dhe e vë në pikëpyetje ekzistencën e Izraelit.
Gjermania e ka theksuar disa herë mbështetjen e palëkundur për Izraelin dhe e ka mbështetur ofensivën tokësore dhe ajrore të tij në Gazën me 2.3 milionë palestinezë.
“E drejta e Izraelit për të ekzistuar është e padiskutueshme për ne. Nuk ka vend për antisemitizëm në vendin tonë, pavarësisht nëse është i motivuar nga politika apo nga feja, pavarësisht nëse vjen nga e djathta apo e majta, pavarësisht nëse është rritur për shekuj, apo nëse vjen prej jashtë”.