Gazment Bardhi shkruan se kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka dhënë urdhër që garda të rrethojë Kuvendin të hënën, kur në seancë parlamentare do të trajtohet projektbuxheti i vitit 2024.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së është shprehur se është njoftuar sot për urdhrin e paligjshëm të Nikollës, ndërsa shprehet se nuk ka gardist që mund të pengojë opozitën.

“Sot jemi njohur me urdhrin e paligjshëm të Lindita Nikollës për të rrethuar të hënën sallën e seancave plenare me forcat speciale të Gardës së Republikës, duke shpallur kështu zyrtarisht shtetin personal autokrat të Edi Ramës. Siç shihet edhe në foton bashkëlidhur Garda e Republikës është urdhëruar të bëjë “provat” gjatë ditës së sotme sesi do të rrethojnë deputetët e opozitës gjatë seancës plenare të së hënës! Duke dënuar me forcë këtë degradim të regjimit të Edi Ramës, duam të sigurojmë se nuk ka gardist e polic që mund të pengojë dhe intimidojë opozitën në misionin për të kthyer parlamentarizmin dhe për të mbrojtur të drejtat kushtetutese të opozitës. Një Parlament, ku deputetët rrethohen nga forcat e sigurisë gjatë vendimmarrjes së tyre, nuk mund të jetë kurrë Parlamenti i një vendi demokratik, anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE. Është akt i paprecedent në 32 vite demokraci, shndërrimi i sallës së Kuvendit nga salla e përfaqësuesve të qytetarëve, në sallën e gardistëve qeveritar. Ky Parlament është turpi i Shqipërisë, njëlloj si qeverisja e korruptuar e Edi Ramës”, deklaron Bardhi.
