Këtë të premte krerët e partive opozitare dolën në një konferencë për përbashkët shtypi, pas kaosit që ka mbërthyer Kuvendin e Shqipërisë, nga ana e grupit të Sali Berishës. Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu tha se opozita duhet të ngrihet në përgjegjësitë e saj. Ai mes të tjerash tha se propozojnë institucionalizimin e federatës së opozitës.
“Opozita duhet të ngrihet ne përgjegjësitë e saj. Propozojmë institucionalizimin e federatës se opozitës, e cila do të kthehet në një koalicion opozitar. Me këtë federatë do të krijohet një strategji e koalicionit opozitar”, tha ai.
Po ashtu Mediu u ndal dhe te reforma zgjedhore, ndërsa shtoi se ajo duhet të ketë rëndësi primare. Ai tha se bashkëkryetari për komisionin e Reformës zgjedhore duhet të jetë përfaqësues i opozitës. Nga ana tjetër, Mediu nënvizoi faktin se parlamenti të kthehet në binaret kushtetues dhe se duhet dialog në politikë, me prezencën e ndërkombëtarëve.
Të pyetur nëse janë konsultuar paraprakisht me Sali Berishën dhe Lulzim Bashën, ata thanë se propozimet e tyre i kanë bërë prej ditësh tashmë në studiot televizive dhe se me “siguri ata i kanë dëgjuar propozimet e tyre. “Kemi shpresë se do t’i thërrasin arsyes”,-shtoi Agron Duka.
Drejtuesit e partive të vogla opozitare theksuan se iniciativa e tyre nuk ka synim ndarjen apo përcaktimin se kush e drejton Partinë Demokrate, por se si objektiv kryesor kanë që pakica në Parlament të dalë me qëndrime të unifikuara për Reformën Zgjedhore, Komisionet Parlamentare apo edhe në marrëdhëniet me diasporën dhe ndërkombëtarët.
Federata e opozitës pritet që të ketë një emër, një program politik dhe një logo. Me këtë nismë synohet që opozita e bashkuar të ketë bashkëpunim institucional me organizmat e diasporës, të mandatohet një grup deputetësh që do të jenë përfaqësues për marrëdhëniet dhe diskutimet me partnerët ndërkombëtare si dhe të bëhen takime parlamentare me të gjithë ligjvënësit opozitarë që kanë dalë nga zgjedhjet e 2021.
