Para se të vijnë refugjatët në Gjadër, në vend do të vijnë punëtorë nga Kameruni. Kujtim Dervishi, kreu i Organizatës së Restoranteve dhe Bujtinave në Shqipëri, thotë se punëtorë nga Kameruni janë gati që të vijnë në vendin tonë për specializim dhe për të punuar në sektorë të ndryshëm, përfshirë turizmin.
“Dhoma Kombëtare e Kamerunit ka ofruar shumë mundësi për sektorin e turizmit, për të bërë kurse profesionale në Shqipëri. Ne kemi hyrë në një rrugë pa krye dhe jemi të detyruar të marrim edhe nga Afrika. Ne nuk i kemi trajtuar mirë me paga stafet dhe tani jemi në një pikë ku duhet të pranojmë bashkëpunëtorë nga larg”, tha Dervishi.
Për të kamerunasit e njohin shumë mirë Shqipërinë dhe madje po ngrenë një qendër kulturore në nder të Dritëro Agollit. “Dritëro Agolli paska bërë një libër për Kamerunin vite më parë dhe ata e kishin si idhull shkrimtarin tonë”, theksoi Kujtim Dervishi.
