Këtë të hënë, aktivistë dhe qytetarë janë stacionuar para SPAK-ut, aty ku po protestojnë për inceneratorin e Tiranës. Protestuesit kërkojnë që të shkojnë para drejtësisë, përgjegjësit e vërtetë të aferës. Nënë Liza, një personazh i njohur dhe zë i fortë i protestave, banore që para 2 vitesh iu shemb banesa në kuadër të planit për rindërtimin në 5 Maj, është bërë pjesë e protestës para SPAK-ut.
“Të vijë Veliaj te 5 Maj, të shoh se si është rruga, po kalojmë nëpër baltë. Dua shtëpinë, jam 80 vjeçe. Nuk kam ku mbledh fëmijët e mi jam 14 vetë. Veliaj dhe Rama të bëjnë vitin e ri. Deputetët marrin nga 5 milionë, unë 100 mijë lekë. Bëhen 2 vite që në janar që jam jashtë shtëpie. I bëj thirrje Amerikës, shteteve të huaja që të na përkrahin. Kur vinë të huajt shtrojnë tapetin e kuq, por për shqiptarët kanë shtruar tapetin e zi”, tha nënë Liza.
Sot Gjykata e Posaçme do të zhvillojë seancat e njoftimit të masave të sigurisë të vendosura për 15 të akuzuarit për inceneratorin e Tiranës, dy prej të akuzuarve kryesorë, ish-ministri Lefter Koka dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Mjedisit Alqi Bllako.
Të akuzuarit Erjon Murataj dhe biznesmenët Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, janë në kërkim. Personat e arrestuar së fundi për inceneratorin e Tiranës, janë: Taulant Tusha, Namir Simirxhiu, Bledar Karoli, Jetmir Llapaj, ndërsa në arrest shtëpie, janë Etleva Kondi, Valbona Ballgjini, Alba Thoma, Sidita Kopliku, Silena Toma, dhe ish-punonjësi i kësaj ministrie Pëllumb Abeshi, të cilët duhet të dalin para gjykatës për njoftimin e masave të vendosura më kërkesë të SPAK.
