Një sherr mes disa të rinjve ka ndodhur në Tiranë, ku më pas një 16-vjeçar ka goditur dhe plagosur me thikë dy 18-vjeçarë.
Policia bën me dije se ka shpallur në kërkim autorin e ngjarjes, i cili menjëherë pasi i ka plagosur është arratisur.
Dy të lënduarit ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
Plagosi me mjet prerës thikë dy shtetas të moshës 18 vjeç dhe u largua, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas informacioneve të marra se ditën e sotme, në rrugën “Asim Vokshi”, gjatë një konflikti, një shtetas kishte goditur me mjet prerës shtetasit A. M., 18 vjeç, dhe E. M., 18 vjeç, të dy banues në Tiranë, dhe më pas është larguar, kanë organizuar punën për identifikimin e tij. Në vijim të veprimeve hetimore të kryera u shpall në kërkim një 16-vjeçar, si autor të dyshuar të kësaj ngjarje.
