Këtë të hënë dy persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e një aksidentit të ndodhur në Rrugën e Arbrit. Bëhet e ditur se dy automjete janë përplasur afër Shkallës së Tujanit.
Për pasojë një prej makinave ka rënë nga lartësia, në humnerë dhe dy personat që ndodheshin në të kanë humbur jetën. I plagosur ka mbetur drejtuesi i mjetit tjetër dhe po merr kujdes shëndetësor. Dy personat që humbën jetën nuk janë identifikuar ende.
“Më datë 18.12.2023, në Rrugën e Arbrit, afër Shkallës së Tujanit, janë përplasur 2 automjete. Si pasojë e përplasjes, njëri nga automjetet ka rënë nga lartësia në humnerë dhe 2 shtetasit që kanë qenë në këtë automjet, kanë humbur jetën. Drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi K. R., ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit dhe për identifikimin e 2 shtetasve që kanë humbur jetën”, tha Policia e Tiranës në një informacion paraprak për mediat.
