SPAK-u kërkon që të arrestojë Sali Berishën, dhe sulmet nga ky i fundit në drejtim të SPAK-ut nuk kanë munguar. Por drejtuesi, Altin Dumani thotë se ata janë imun ndaj politikës. Gjatë një takimi pune të Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, Dumani u shpreh se akuzat dhe deklaratat mediatike ndaj tij nuk kanë asnjë lloj ndikimi.
“Retorika politike apo presioni mediatik tek unë si drejtues nuk ka asnjë lloj ndikimi. Jam imun nga retorika politike e përditshme dhe reagimet mediatike. Këtë përpiqem të përcjell tek trupa e prokurëve të SPAK. Nuk kanë asnjë lloj ndikimi në punën time si drejtues, por as të prokurorëve dhe hetuesve. Nuk më shqëtëson retorika politike në raport me hetimin. Kemi garancitë kushtetuese të ushtrojmë ndjekjen penale”,-tha Dumani.
Këto deklarata vijnë pasi Këshilli i Mandateve vendosi të hënën “pro” kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Sali Berishës. Kërkesa u aprovua me 5 votat pro të mazhorancës, të cilave iu shtua edhe aprovimi i Enkelejd Alibeajt në emër të Partisë Demokratike së Bashës. Këshilli vendosi me një votim unanim për zhveshjen e Sali Berishës nga imuniteti që i siguron mandati i deputetit, për t’u vënë në dispozicion të drejtësisë.
