Obligacionet e thesarit janë instrumente financiare afatmesme dhe afatgjata me maturitet 2, 3, 5, 7, 10 dhe 15-vjeçare. Këta tituj shtetërorë apo letra me vlerë të qeverisë janë instrumente borxhi të emetuara dhe garantuara nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë.
Interesi i përfituar në formën e kuponit, paguhet çdo 6 muaj gjatë kohëzgjatjes së instrumentit. Përgjithësisht, obligacionet emetohen me kupon fiks, pra një normë fikse interesi gjatë gjithë kohëzgjatjes së obligacionit. Por, mund të emetohen edhe me kupon variabël. Në këtë rast, norma e interesit është e ndryshueshme dhe përcaktohet çdo vit si shumatore e normës së indeksit të ndryshueshëm dhe e një marzhi fiks që përcaktohet në ankand.
Norma e indeksit llogaritet para zhvillimit të ankandit/datës së ripërcaktimit të kuponit të obligacionit variabël, si mesatare e interesit të ponderuar të bonove të thesarit 12-mujore në tre ankandet e fundit.
Në rolin e agjentit fiskal të Qeverisë, Banka e Shqipërisë është përgjegjëse për organizimin e ankandeve, shlyerjen dhe mbajtjen e regjistrit elektronik të titujve shtetërorë të emetuar në tregun e brendshëm.
Si të marr pjesë në ankand?
Individët mund të marrin pjesë në ankandet e obligacioneve vetëm nëpërmjet subjekteve financiare të licencuara për këtë shërbim, duke:
- hapur një llogari për pjesëmarrje në ankandin e obligacioneve pranë subjektit të licencuar;
- derdhur në këtë llogari fondet që do të investosh;
- plotësuar kërkesën për pjesëmarrje në ankand.
