Banorët e pallatit që ndodhet mbi qendrën tregtare në Lushnjë që u përfshi nga flakët janë rikthyer pranë godinës, nuk janë lejuar nga policia që të futen në apartamentet e tyre. Asnjë nga banorët që janë evakuuar nuk e di se çfarë ka ndodhur me apartamentet e tyre. Një prej banoreve tregon momentet e daljes nga apartamenti me rrobat e trupit dhe mungesën, sipas saj, të masave kundër zjarrit apo sinjalizmit të banorëve.
Një tjetër banor tregon si e kanë evakuuar forcat speciale të policisë, ndërsa është akomoduar në një hotel të paguar nga pronari i pallatit. Kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, ka konfirmuar se banorët që u dërguan për ndihmë mjekësore kanë lënë të gjithë spitalin, ndërsa për banorët që nuk kanë mundësi akomodimi, bashkia merr përsipër strehimin e tyre deri në rikthimin e sigurt në banesa. Kryebashkiakja ka premtuar edhe vlerësim të dëmeve dhe kompensim për banorët e pallatit.
Shefi i repartit zjarrfikës ka konfirmuar se qendra tregtare nuk ka më rrezik për riaktivizimin e zjarreve, ndërsa ka treguar edhe momentet kritike gjatë luftës me flakët dhe numrin e banorëve dhe të efektivëve zjarrfikëse që rrezikuan jetën.