Me festat e fundvitit janë shtuar edhe rastet me grip. Violeta Koçorri, mjeke familjeje në qendrën shëndetësore numër 8 në Tiranë, thotë se janari ka regjistruar raste të shtuara. Sa i përket simptomave të shfaqura, dominon temperatura e lartë.
“Rastet janë shtuar në janar, por ka qenë dhe nëntori dhe dhjetori, festat kanë bërë të tyre dhe rastet janë shtuar, ka pasur edhe COVID dhe virozë respiratorë. Rastet e COVID janë më të pakta se virozat respiratorë. Shenjat kanë qenë nga më të ndryshmet, kanë prevaluar temperatura 39-40, me ethe, dhimbje fyti, dhe dhimbje të forta koke”, u shpreh mjekja.
Lexo edhe :
Related Posts
Duke qenë se simptomat e gripit janë të ngjashme me COVID, mjekja tregoi se si bëhet diferenca. “Simptomat janë pak a shumë të ngjashme, ne diagnozën diferenciale e bëjmë duke u testuar dhe duke u testuar në periudhën e inkubacionit, pra për COVID 3-5 ditë minimalja dhe më pas diagnozën respiratore duke bërë diferencën më anë të testimit. Ne mjekojmë shenjat, pra nëse një person del negativ me COVID, atëherë ne mjekojmë shenjat në shtëpi”, tha ajo.
Mjekja thekson se nuk duhet marrë menjëherë antibiotikë. Në qarkullim janë disa viruse, bëri me dije doktoresha, e për pasojë është vënë re se janë prekur të gjitha grupmoshat, përfshirë këtu edhe të rinjtë, që mendohej se kanë pasur një imunitet më të fortë krahasuar me fëmijët apo të moshuarit gjatë kohës së COVID.
“Është vënë re që janë paraqitur të gjitha moshat dhe moshat e reja, por dhe të moshuarit, shumë, sepse janë në kontakt dhe me fëmijët dhe janë transmetuar. Fëmijët në moshën deri 2 vjeç ka pasur raste të shumta se po qarkullon një virus që prek fëmijët, arrin deri në Bronchopneumonia, në qarkullim janë disa viruse”, tha ajo.
Vaksina e grupit, por edhe ajo e COVID po ofrohet në qendra shëndetësore, dhe për mjeken në rast se një pacient nuk ka shfaqur simptoma, mund ta bëjë për të forcuar dozën e imunitetit. Sa i përket maskës, ajo e sheh si një zgjedhje individuale, por thekson se ka funksion mbrojtës dhe do ishte shumë mirë në rast se do të përdorej në ambiente të mbyllura, spitale apo qendra shëndetësore.