25 vite më parë, pikërisht më 15 janar të vitit 1999 u krye një ndër masakrat më të rënda të luftës së Kosovës në Reçak, ku u vranë 45 shqiptarë. Mëngjesi i 15 janarit për banorët e fshatit Reçak të Komunës së Shtimes zbardhi të rrethuar nga formacionet policore serbe, njësitë ushtarake dhe paramilitare me mjete motorike të rënda të luftës. Në orën 6 e 45 minuta të mëngjesit, shumica e banorëve të fshatit u zgjuan nga zhurma e artilerisë së rëndë serbe e cila filloi ta granatojë fshatin nga pozicione të ndryshme.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe ish-ambasadori William Walker bënë homazhe në varreza. Osmani ka thënë se shqiptarët u masakruan nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit. “Jemi këtu jo vetëm për të nderuar viktimat e regjimit gjenocidal të Millosheviçit, por për të përsëritur thirrjen tonë për drejtësi. Drejtësia i jep kuptim paqes, lirisë, e është e domosdoshme për pajtim. Edhe sot jemi këtu për të nderuar të rënët, të gjithë ata që duarthatë u masakruan në mënyrë brutale, duke kryer krime kundër njerëzimit nga regjimi i Millosheviçit”, tha Osmani.
Kryeministri Albin Kurti falënderoi ish-ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili i tregoi botës se çfarë kishte ndodhur në këtë vend.
“Masakra e Reçakut këtu e 25 vjet më parë, ku u vranë 45 civilë shqiptarë e tronditi si opinionin publik ndërkombëtar, gjithashtu edhe diplomacinë botërore dhe e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Kur ndodhi masakra e Reçakut, ambasadori William Walker si udhëheqës i misionit të OSBE-së në Kosovë erdhi këtu te fshatarët dhe e foli të vërtetën, tha kjo është masakër dhe krim kundër njerëzimit”.
