Partia Demokratike e Lulzim Bashës, këtë të hënë dorëzoi në Kuvend amendamentin ku kërkon ndryshimin e buxhetit të shtetit, për t’i dhënë 50 mln euro Kosovës ndihmë ushtarake.
“Duke marrë parasysh situatën e tensionuar të sigurisë në Republikën e Kosovës nën dritën e fakteve të një acarimi të paprovokuar të gjendjes së sigurisë nga Serbia, bëhet e domosdoshme një ndihmë financiare për nevoja të mbrojtjes dhe sigurisë nga ana e Republikës së Shqipërisë për Republikën e Kosovës prej së paku 5 miliardë lekë në vit, duke filluar nga viti 2024. Kjo ndihmë financiare ka për synim forcimin dhe zgjerimin e kapaciteteve ushtarake të Republikës së Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit dhe tërësisë territoriale”, thuhet ndër të tjera në dokumentin në fjalë.
Basha thotë se paratë për t’i ardhur në ndihmë Kosovës, duhet të gjenden në shpenzimet e tepërta për zyra. “Miratoni uljen nga 129 miliardë e 381 milion lekë në 124 milardë e 381 milion lekë duke shkurtuar investimet kapitale jo të domosdoshme për mbarëvajtjen e ecurisë ekonomike të vendit, siç janë restaurime zyrash, mobilime, blerje automjetesh, shpenzime kapitale jo-emergjente”, thuhet në dokument.
Buxheti i 2024 u miratua në dhjetor mes kaosit, për herë të parë pa diskutime, me 4 vota kundër të deputetëve të Lulzim Bashës dhe vetëm me kartonat jeshilë të socialistëve.
