Shqipëria do të prezantojë paketën turistike përmes një agjende të nivelit të lartë nën organizimin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në Panairin Ndërkombëtar “Fitur” në Madrid, i cili mbahet nga 24 deri në 28 janar.
Në ceremoninë e hapjes së panairit do të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë po ashtu ka postuar në rrjetet sociale spotin promovuese të pjesëmarrjes së Shqipërisë në këtë panair.
“Shqipëria nis promovimin ndërkombëtar si një destinacion unik turistik me pjesëmarrjen në panairin gjigand të turizmit “FITUR Madrid” nga 24 deri më 28 janar, për të prezantuar diversitetin e pasur turistik, një oaz i parajsave të vogla dhe mikpritjes shpirtërore që qëndron me krenari përballë turizmit global”, shkruan Rama.
Në stendën e Shqipërisë gjatë ditëve të këtij panairi ndërkombëtar të turizmit, përveçse do të prezantohet diversiteti i ofertës sonë turistike mes 152 vendesh pjesëmarrëse, do të mbahen gjithashtu takime të nivelit të lartë mes ministres Mirela Kumbaro dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit me ministra dhe personalitete shtetërore për çështjet e turizmit e të mjedisit, përfaqësues të biznesit privat e industrisë së turizmit.
