Specialisti i Policisë Kriminale, Arben Pjeçi i cili vrau veten me armën e shërbimit në komisariatin e Durrësit, është përcjellë këtë të premte për në banesën e fundit. Kolegë, miq e familjarë janë të prekur nga kjo ngjarje.
Dhimbja për të afërmit është e madhe, ndërsa thonë se kjo ngjarje ishte e papritur. 56-vjeçarin e kujtojnë si djalë punëtor, të ndershëm e me sedër. “E papritur. E njoh për njeri të mirë. Askush nuk thotë asgjë, ishte e papritur. Shumë dhimbje”, thotë një prej të afërmve.
”I sinqertë i ndershëm, u habitëm kur ndodhi kjo ngjarja. E kam kunatin e mbesës. E njoh edhe te puna. Shqetësime nuk kishte, por më bënte përshtypje se ishte shumë i sinqertë, i ndershëm. Punonte i shkreti. U hap dera me zor, e gjetën të varrë. Kishte gjuajtur te zemra”, thonë të afërm dhe kolegë.
Një moment prekës është edhe kur një prej kolegëve të tij shpërthen në lot, ndërsa thotë se e ka pasur si vëlla. “E kam pas shumë mik, nuk mund të shprehem. E merrja këtu se kisha makinën, e çoja në Divjakë e shkoja me të. E kam pas si vëlla. Kam punuar para gjashtë vjetëve me të, këtu e takoja shpesh herë. E kam pas shumë mik, e shumë vëlla”, thotë ai.
