Ministri i Brendshëm, Taulant Balla inspektoi disa akse rrugore e nyje të rëndësishme qarkullimi në Tiranë, ku u njoh nga afër me disa nga problematikat e trafikut në qytet dhe rrugët interurbane. Balla theksoi rëndësinë e komunikimit me qytetarët, ndërgjegjësimin e tyre për domosdoshmërinë e respektimit të rregullave të qarkullimit, si një masë mbrojtëse për shëndetin e jetën e tyre. Balla nënvizoi gjithashtu faktin se ndëshkimet ndaj kundërvajtësve kanë për synim edukimin e shtetasve dhe nuk janë qëllim në vetvete.
“E rëndësishme është ajo që kemi thënë gjithmonë: nuk është gjoba qëllimi ynë! Gjoba është një instrument për të tërhequr vëmendjen për ta bërë të vetëdijshëm përdoruesin e rrugës për rreziqet që sjellin shkeljet, ose incidentet që shkaktohen nga përdoruesi i rrugës. Pra, gjëja e parë është komunikimi. Njerëzit duhet të kuptojnë që rregullat e qarkullimit rrugor janë rregulla për të mbrojtur, jo për të ndëshkuar. Njerëzit duhet të kuptojnë që kur merr një gjobë, ajo është një alarm që të kesh parasysh të mos e përsërisësh më atë shkelje rrugore”.
Në disa prej kryqëzimeve kryesore në Tiranë janë vendosur punonjës të Policisë Rrugore për të lehtësuar trafikun, të cilët punojnë me turne gjatë gjithë ditës. Ndërsa ka njësi të tjera të Policisë Rrugore që monitorojnë shkeljet që kanë të bëjnë me mospërdorimin e telefonit, rripin e sigurimit, tejkalimin e shpejtësisë etj.
