Në ndryshimet në Kodin Penal, i cili prej muajsh është duke u punuar nga një grup i gjerë ekspertësh, por që janë ende në fazën e propozimeve dhe konsultimeve, përfshihet mes të tjerash edhe surrogacia pra “Porosia për të lindur fëmijë”.
Sipas ndryshimeve që propozohen, do të mundësohet që kundrejt pagesës ose përfitimeve të tjerë, një grua që jep pëlqimin dhe me vullnetin e saj merr përsipër të mbajë në trupin e saj dhe të lindë një fëmijë gjenetikisht të lidhur ose jo me nënën porositëse apo përfituesit, në favor të një personi apo çifti/personave përfitues që do të jenë në të ardhmen prindërit e fëmijës pas lindjes, duke ushtruar më pas të drejtat dhe autoritetin prindëror ndaj tij.
Ndërkohë përfshirja me qëllim përfitimi e një ndërmjetësi midis një personi ose një çifti që dëshiron të mirëpresë një fëmijë me një grua që pranon ta mbajë këtë fëmijë brenda trupit të saj dhe ta sjellë në jetë, në mënyrë që t’ua dorëzojë pas lindjes atyre, kur nëna e porositur dihet që përdoret rëndom të plotësojë porosi të tilla vetëm për këtë qëllim, duke vendosur në rrezik jetën dhe shëndetin e saj apo të fëmijës, dënohen me gjobë ose me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
