Merkato e Janarit solli ndryshim skuadre për katër futbollistë të kombëtares shqiptare. Ernest Muçi dhe Arbnor Muja zgjodhën Superligën turke për të pasur ndoshta më shumë hapësira dhe për të tentuar një vend në listën e të grumbulluarve në Euro2024. 22-vjeçari i dalë nga akademia e Tiranës vendosi edhe një rekord pas firmës me Beshiktash. Këto të fundit depozituan në arkat e Legias plot 10 milionë Euro, një prej të cilave do shkojë për skuadrën bardheblu.
Ndërkaq, kontratë për 3 vite e gjysmë firmosi Muja tek Samsunspor, një skenar që do i jap mundësi për të treguar cilësitë para turneut gjerman. Në formulën e huazimit pa të drejtë blerje në fund të sezonit ndryshuan skuadër edhe Marash Kumbulla dhe Armando Broja.
Mbrojtësi la për 6 muaj Romën për t’iu bashkuar skuadrës tjetër të Serie A, Sassuolës. 24-vjeçari kërkon minuta pas atij dëmtimi të rëndë që e ka lënë jashtë fushave prej thuajse një viti. Ndërkaq, të njëjtën formulë zgjodhi Broja, teksa u largua nga Chelsea, por jo nga Londra. Sulmuesi tenton të rikthehet në kombëtare me gola dhe performanca të mira tek Fulhem.
Këto të fundit do paguanin 5 milionë Euro në arkat e “bluve të londrës” nëse Broja nuk do luaj 10 takime si titullarë. Lëvizje këto që kanë lidhje direkt për të shfrytëzuar mundësinë për të marrë një ftesë nga Sylvinho për tu përfshirë në kombëtare për kampionatin Europian.