Ilir Selmani, i dënuar me 28 vite burg si pjesëmarrës në vrasjen e Santiago Malkos, dëshmoi këtë të mërkurë në procesin ndaj Leonard Dukës, Erlis Duka e të tjerëve, të akuzuar për të njëjtën ngjarje. Selmani këmbënguli në pafajësinë e tij, duke pretenduar se ishte dënuar me prova të manipuluara nga zyrtarë të policisë. Sipas tij, janë paguar 500 mijë euro për të dëmtuar vëllezërit Duka.
Ai tha se Blendi Teta, po ashtu i dënuar për ngjarjen, ishte marrë peng dhe kërcënuar nga Ervis Martinaj dhe se ishte detyruar të firmoste shkresa që nuk i kishte lexuar.
Hetimet për vrasjen treguan se motiv për ngjarjen e rëndë u bënë përplasjet e grupeve kriminale në Tiranë. Ish-punonjësi i policisë, Santiago Malko, mik i Ervis Martinajt, u vra me dhjetë plumba në makinën e tij mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 pranë zonës së “Porcelanit” në Tiranë. Santiago Malko dikur ka shërbyer në radhët e Policisë së Shtetit dhe më pas është përjashtuar.
