Valentin Ftoni, 52 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 2001 dhe i dënuar me dy vendime gjyqësore me nga 25 vjet burgim për tri vrasje në Qarkun e Shkodrës, është arrestuar në Nju-Jork.
Sipas informacionit të bërë publik nga Policia e Shtetit, lokalizimi dhe arrestimi i tij u realizuan përmes bashkëpunimit me agjencinë federale amerikane DSS/OCIU pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Shërbimin e Marshallëve të SHBA-së (USMS) dhe Agjencinë e Emigracionit dhe Doganave (ICE).
Nga hetimet rezultoi se Ftoni ishte larguar nga Shqipëria duke përdorur dokumente të falsifikuara dhe të paktën dy identitete të rreme për të hyrë ilegalisht në SHBA. Sipas të njëjtit informacion, gjatë qëndrimit atje ai përdorte edhe një identitet tjetër të rremë, të marrë nga një vend i Amerikës Qendrore.
Më 28 shtator 2001, Gjykata e Shkodrës e kishte dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen me paramendim, në bashkëpunim, të shtetasve Gj. M. dhe A. M. Ngjarja kishte ndodhur më 19 shtator 2000 në fshatin Ças të Velipojës, për motive gjakmarrjeje.
Me një vendim të dytë, më 18 nëntor 2008, e njëjta gjykatë e kishte dënuar sërish me 25 vjet burgim për vrasjen me paramendim të shtetasit G. T., të kryer më 12 gusht 2001.
Arrestimi në Nju-Jork vjen pas rreth 25 vitesh kërkimi ndërkombëtar.
