Indeksi i lirisë ekonomike e rendit Shqipërinë në vendin e 49 nga 176 vende të analizuara.
E vlerësuar me një liri ekonomike të moderuar në masën 65.3%, vendi ynë renditet edhe më lart se vendet e tjera të rajonit të Ballkanit, por edhe të disa prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Kështu, në klasifikimin për vitin që lamë pas, Shqipëria lë pas Kosovën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnje dhe Hercegovinën, por edhe Spanjën, Francën etj.
Sipas këtij klasifikimi, Shqipëria mban pozicionin e 27 si më e lira mes 44 vendeve të rajonit të Evropës dhe rezultati i saj i përgjithshëm është mbi mesataren botërore.
Themelet e lirisë ekonomike në Shqipëri janë matur në bazë të treguesve si qëndrueshmëria monetare, të drejtat e pronësisë private, një sistem ligjor i paanshëm, taksa të ulëta, si dhe barrierat e ulëta për shkëmbime tregtare.
Mundësitë e biznesit konsiderohen të shumta në sektorët e energjisë, turizmit, kujdesit shëndetësor, bujqësisë, naftës dhe teknologjisë së informacionit.
