Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e hapjes së bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, përmendi edhe një shkrim të gazetës “Zëri i Popullit”, fiks 70 vjet më parë, teksa vendin e vizitonte udhëheqësi sovjetik, Hrushovi.
“Jam këtu si përfaqësues i një gjenerate tjetër që pa ndryshimet demokratike. Po i referohem një fragmenti të Zërit të Popullit në maj të 1954-ës kur në Shqipëri erdhi udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik. Gazeta shkruante; të vdekur po kërcenin nga gëzimi dhe lulet atë maj kishin çelur me herët për të pritur Hrushovin”, tha Rama.
Sipas tij “në atë kohë Shqipëria në këtë bazë që rihapet sot, konsiderohej si vend strategjik i perandorisë sovjetike përballë botës perëndimore. Këtu në Kuçovë ishin sistemuar një numër jo i vogël avionësh bombardues. Lufta do të niste me bombardimin e Vjenës, Shtutgartit. Sot jemi në anën tjetër. Shqipëria mirëpret aleatët e saj dhe partnerët në një aleancë që është aleancë vlerash në mbrojtje të paqes dhe demokracisë”.
