Prona ka shënuar këtë të mërkurë një tjetër sherr mes vëllezërve, që mund të ishte kthyer në një tragjedi. Ngjarja ka ndodhur në Mat, ku sipas Policisë së Shtetit 61-vjeçari Selim Sulaj ka goditur me sende të forta të vëllain.
Njoftimi i plotë
U konfliktua dhe goditi me sende të forta vëllanë e tij, ndërhyrja në kohë e Policisë parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit. Policia, kapi dhe vuri në pranga 61-vjeçarin.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Midhë, për motive pronësie po konfliktoheshin dy vëllezër, kanë shkuar menjëherë në adresën e marrë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Si rezultat, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin S.S., 61 vjeç, banues në fshatin Midhë, Mat. Ky shtetas, për motive të pronësie, ishte konfliktuar dhe kishte goditur me sende të forta vëllanë e tij, duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
